Transmetuar më 14-03-2026, 19:20

Shqiptarët vijojnë të përdorin para cash për pagesat e përditshme, nga kafeja deri te shërbimet e vogla. Por të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kartëmonedhat që qarkullojnë më shpesh nuk janë domosdoshmërisht ato që përfaqësojnë vlerën më të madhe në ekonomi.

Sipas raportit, nëse merret në konsideratë numri i kartëmonedhave në qarkullim, më të përdorurat në pagesat e përditshme janë prerjet 1 000 dhe 2 000 lekë, të cilat kalojnë më shpesh nga dora në dorë në transaksionet e zakonshme të qytetarëve.

Ndërkohë, panorama ndryshon kur analiza bëhet në vlerë monetare. Në këtë rast, kartëmonedha që mban peshën më të madhe në ekonomi është ajo 5 000 lekë, pasi përfaqëson një vlerë më të lartë për njësi dhe përqendron një pjesë të konsiderueshme të parasë fizike në qarkullim.

Raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se struktura e kartëmonedhave ka pësuar ndryshime graduale vitet e fundit, por pa u përmbysur, pavarësisht zhvillimeve si pandemia, rritja e inflacionit apo futja në qarkullim e kartëmonedhës 10 000 lekë.

Sipas të dhënave, numri total i kartëmonedhave në qarkullim në Shqipëri ka mbetur relativisht i qëndrueshëm gjatë pesë viteve të fundit, në rreth 150–160 milionë copë. Kjo tregon se ndryshimet nuk lidhen me sasinë e parasë fizike, por me mënyrën e përdorimit të saj.

Një nga arsyet kryesore është rritja e pagesave elektronike, pasi kartat bankare dhe transfertat po zëvendësojnë gradualisht cash-in në pagesat e vogla. Për këtë arsye, prerjet e vogla si 200, 500 dhe 1 000 lekë përdoren më pak se më parë dhe shpesh mbeten kryesisht si “kusur” në transaksionet e përditshme.

Raportet tregojnë gjithashtu se kartëmonedhat po qëndrojnë më gjatë në qarkullim, duke u zëvendësuar më rrallë nga sistemi bankar. Kjo tregon se cash-i në Shqipëri nuk po zhduket, por po ndryshon funksion: nga një mjet i zakonshëm pagese drejt një instrumenti ruajtjeje dhe sigurie financiare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit