Transmetuar më 14-03-2026, 15:41

Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë 95 kërkesa zyrtare nga autoritetet e huaja për shqiptarë të përfshirë në grupe kriminale jashtë vendit, një rritje prej 25 letërporosish krahasuar me vitin 2024.

Sipas raportit të SPAK, pjesa më e madhe e këtyre kërkesave lidhet me hetime mbi trafikun e drogës, sidomos kokainës nga Amerika Latine, ku rrjetet kriminale shqiptare po shtrihen edhe në portet belge. Nga 95 kërkesat, 68 janë ekzekutuar, ndërsa 27 të tjera vijojnë të jenë në proces, kryesisht për shkak të kompleksitetit të hetimeve.

Partneri më aktiv mbetet Belgjika me 24 kërkesa, duke përbërë më shumë se një të katërtën e totalit. Pas saj renditen Gjermania (16 kërkesa), Italia (15), Franca (10) dhe më pas Anglia dhe Holanda me nga 5 kërkesa secila. Në listë janë edhe Spanja, Kosova, SHBA, Rumania, Greqia dhe disa vende të tjera me kërkesa më të pakta.

Nga ana tjetër, SPAK ka dërguar vetë 156 letërporosi drejt autoriteteve ndërkombëtare gjatë vitit 2025, pak më pak se 163 në 2024. Më shumë se një e treta e tyre janë ekzekutuar.

Franca ka marrë numrin më të madh të kërkesave nga SPAK (55 letërporosi), kryesisht për zbërthimin e komunikimeve të platformës së koduar SkyECC, që ka ndihmuar në goditjen e disa organizatave kriminale.

Pas Francës renditen Holanda (12), Italia (8), Kosova (7), Belgjika, Greqia dhe Zvicra (nga 6 kërkesa secila), ndërsa vendet e tjera kanë marrë sasi më të vogla kërkesash.

Raporti tregon një zgjerim të aktiviteteve kriminale shqiptare në mbarë botën, duke përfshirë Europën Perëndimore, Amerikën Latine dhe SHBA, dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për hetimin dhe goditjen e këtyre rrjeteve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit