

Bruksel, Belgjikë – 14 Mars 2026
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes autoriteteve kosovare dhe komunitetit serb për Ligjin për të Huajt, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në një postim në platformën X, Kallas tha se ky zhvillim krijon një momentum të ri për të përparuar marrëdhëniet midis BE-së dhe Kosovës dhe për të mundësuar takime të nivelit të lartë politik mes palëve.
Ky lajm vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë dakord që pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët nuk kanë dokumente kosovare, të marrin:
Leje të përkohshme qëndrimi prej 12 muajsh
Të përdorin përkohësisht letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe si mjet identifikimi
Kallas theksoi se marrëveshja për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt përfaqëson një hap të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe siguron vazhdimësinë në ofrimin e shërbimeve publike.
Ky hap ligjor synon gjithashtu të integrojë institucionet paralele serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, duke filluar zbatimin e plotë nga e diela, 15 mars 2026.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë nuk ka pasur zhvillime që nga shtatori i vitit 2023, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit. Në atë kohë, sulmi i armatosur u dha ngecje procesit, pasi dorëzimi i autorit të dyshuar, Millan Radoiçiç, nuk u realizua nga Beogradi.
Megjithatë, marrëveshjet e arritura gjatë dekadës së fundit, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, konsiderohen të detyrueshme nga BE-ja, edhe pse disa prej tyre ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






