

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i kujtoi sonte Kryeministrit Edi Rama se e ka për detyrë të respektojë kushtetutën dhe të sillet sipas normave ligjore me gazetarët.
Reagimi erdhi pasi kryeministri Rama sot në një konferencë për shtyp ku thirri gazetarët, përdori gjuhë të ashpër, bullizuese, ofenduese dhe përjashtuese. Ai arriti deri aty sa ta përjashtojë përgjithmonë një gazetare nga konferencat për shtyp të kryeministrit.
Veprimi i përsëritur i Ramës me gazetarët solli në këtë reagim: Shoqata shpreh sërish shqetësimin për sjelljen bullizuese të kryeministrit Edi Rama me gazetarët teksa i bëjnë pyetje, një situatë që u përsërit edhe gjatë konferencës së sotme për shtyp.
Gjuha intimiduese dhe etiketuese e përdorur nga kryeministri u përshkallëzua ditën e sotme, me një akt force, nxjerrjen jashtë konferencës për shtyp të dy gazetarëve, Ambrozia Meta e Syri TV, të cilës i bëri të ditur se do të përjashtohej përgjithmonë nga konferencat e tij, si dhe gazetarit Isa Myzyraj i Report TV, që u nxor jashtë nga salla. Shembulli i forcës së pushtetit që tregoi kryeministri ndaj gazetarëve, duke u kufizuar aksesin në informacionin publik, ishte prova se si z. Rama e koncepton marrëdhënien me median. Aksesi i gazetarëve në informacionin publik nuk është privilegj, por një e drejtë thelbësore, që garanton transparencën dhe funksionimin e demokracisë parlamentare.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë e dënon këtë sjellje të kryeministrit ndaj gazetarëve dhe i bën thirrje atij të tregojë vetëpërmbajtje dhe të respektojë rolin e medias, si pushteti i katërt dhe si zë i interesit publik. Çdo politikan, veçanërisht një kryeministër, ka detyrimin të jetë i përgjegjshëm dhe llogaridhënës përballë medias.
Në një shoqëri demokratike, marrëdhënia mes pushteteve, përfshirë atë mes ekzekutivit dhe medias, nuk është çështje preference personale, por një bashkëjetesë e domosdoshme, e rregulluar në kushtetutë, ku secili ushtron rolin dhe përgjegjësinë e vet, duke respektuar detyrën e tjetrit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






