Transmetuar më 13-03-2026, 14:19

Zbardhen detaje të reja mbi ngjarjen tragjike të vetëflijimit të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj. Para se të ndërmerrte aktin ekstrem, ajo la një letër lamtumire për familjen e saj:

“Nuk duroj dot më! Më vjen keq që iu kam mërzitur, por më besoni që nuk iu kam koritur kurrë. Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për mua!”

Ngjarja ndodhi më 9 mars në Tiranë, kur ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, u paraqit pranë banesës së Xhuana Nikollajt tek ish-fusha e aviacionit. Xhuana jetonte prej pak kohësh në Tiranë me një shoqe dhe kishte nisur punë për të përballuar jetesën pas ndarjes. Ajo kishte përfunduar studimet në drejtësi dhe ishte e lumtur për mundësinë e punës në profesionin e saj.

Familjarët e Nikollajt ishin të vetëdijshëm për tensionet me ish-bashkëshortin dhe e kishin mbështetur për t’u larguar në Tiranë, ku fillimisht jetoi me motrën e saj dhe më pas me shoqen. Sipas familjarëve, Xhuana ishte e lumtur dhe nuk ishte shtatzënë, ndërsa problemi kryesor kishte të bënte me ndërhyrjen e familjes së ish-bashkëshortit në marrëdhënien e tyre.

Më 9 mars, ish-bashkëshorti i saj e takoi pranë pallatit, dhe gjatë kohës së qëndrimit të tij me të, Xhuana dyshohet se është dhunuar fizikisht. Në gjendje të rënduar psikologjike, ajo u kthye në banesë rreth orës 3 të mëngjesit.

Rreth orës 7 të mëngjesit, pasi shoqja e saj ishte larguar për në punë, Xhuana ka konsumuar fostoksinë dhe ka shkruar letrën e lamtumirës. Pas aktit, ajo telefonoi motrën e saj në Angli për t’i treguar për vetëflijimin. Motra, e shqetësuar, njoftoi shoqen dhe pronarin e banesës, i cili lajmëroi menjëherë ambulancën dhe policinë.

Policia po heton mënyrën se si 25-vjeçarja siguroi fostoksinën dhe dyshimet mbi ish-bashkëshortin Eraldo Fizi, i cili ndodhet aktualisht në arrati. Sipas familjarëve, Xhuana nuk kishte vuajtur kurrë nga depresioni dhe nuk kishte marrë asnjë trajtim mjekësor për probleme psikologjike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit