

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se shteti do të ndërhyjë në tregun e naftës për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe për të mbështetur marrëveshjet me kompanitë shpërndarëse.
Gjatë një konference për shtyp, Rama shpjegoi se ky hap vjen si pasojë e rritjes globale të çmimeve të naftës, duke theksuar se kriza po ndikon në të gjithë botën dhe po reflektohet edhe në Shqipëri.
“Krijimi i një faktori shtetëror në tregun e naftës, një force publike, do të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm për fluturimet ajrore. Shqipëria ka arritur që Tirana të ketë aeroportin më të gjallëruar të Ballkanit, duke u bërë kryeqyteti i aviacionit në rajon,” tha Rama, duke shtuar një mesazh për “keqdashësit”: “Sa më shumë të na duan të vdekur, aq më shumë gjallërohemi.”
Kryeministri u shpreh se kapaciteti dhe garancia e shtetit do të përdoren për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë në marrëveshjet me kompanitë e shpërndarjes së naftës. “Forca e shtetit do të futet në treg shumë shpejt dhe do të ofrojë kapacitetin e nevojshëm për të pasur marrëveshje të qëndrueshme,” tha Rama.
“Nga ana tjetër, fakti që kriza po shfaqet në të gjithë botën, reflektohet edhe në rritjen e çmimit të naftës. Do të krijojmë një faktor shtetëror të naftës, që të krijojë kapacitete për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, siç e lehtësuan masat që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Edhe në këtë treg, gjërat do të ndryshojnë. Duke vendosur në dispozicion kapacitetet dhe garancitë shtetërore, bëhet më e lehtë të arrihen marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë”, tha Rama.
“Në ligjin që është në konsultim për rezervat është përcaktuar se rezerva duhet të shkojë në 3 muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie, pasi mund të jetë e pamjaftueshme në momente të tilla. Na duhet të shkojmë përtej saj. Qytetarëve u nevojitet një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu aktual”, tha Rama.
Pjesa e plotë e Ramës për çështjen e naftës
"Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim dhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do të japim shembullin sesi dhe në tregun e naftës gjërat do të ndryshojnë.
Ndërkohë që duke vënë në dispozicion kapacitetin e shtetit dhe garancinë e shtetit do të bëhet shumë më e lehtë se sa e kanë sot lojtarët që janë në treg për të patur marrëveshje me kompanitë që e shpërndajnë naftën të cilat do të kenë qëndrueshmëri afatgjatë.
Sot ne kemi dhe në proces ligjin e rezervave. Më kujtohet që kur unë kam folur për rezervat e naftës në vigjilje të kësaj iniciative, përpara vitit 2020, u ‘’hodhën shumë tenxhere përpjetë’’ sepse u quajt një përpjekje për nuk e di, se çfarë poshtërsie por sot kjo është imperative. Ne në ligjin që është për konsultim publik, mos gabohem, e kemi përcaktuar që rezerva duhet të shkojë në 3 muaj, por ndërkohë kjo nuk mjafton më tani. Nuk mjafton më si masë sigurie, se mund të jetë thjesht një masë e mjaftueshme për momente të tilla, por ne na duhet të shkojmë përtej sigurisë. Ne duhet të shkojmë tek ajo që qytetarët ndjejnë dhe tek ajo që qytetarët meritojnë të kenë; një treg nafte i cili të jetë më i përballueshëm se tregu i sotëm. Shumë thjeshtë. Këto ishin pikat që unë doja të ndaja me ju".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






