Transmetuar më 13-03-2026, 13:16

Kryeministri Edi Rama ka pranuar përplasjet me faktorin ndërkombëtar lidhur me mbrojtjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe vendimin për mosheqjen e imunitetit të saj një ditë më parë në Kuvend, i cili shkaktoi reagime nga disa përfaqësi diplomatike.

Gjatë një konference për gazetarët, Rama konfirmoi se ka pasur debat me disa nga partnerët ndërkombëtarë, por theksoi me vendosmëri: “Nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart-poshtë”.

Kryeministri sqaroi se çështja që lidhet me Ballukun nuk përbën një rast korrupsioni, pasi Prokuroria nuk ka ngritur akuzë, por është pjesë e një hetimi që mund të vazhdojë pa pengesa. “Unë e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të shfaqet korrupsioni. Deri tani nuk kemi të bëjmë me një çështje të tillë”, tha Rama.

Ai shtoi se, pavarësisht debatit me partnerët ndërkombëtarë, përgjegjësia e tij është për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. “Një nga normat e pa diskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy dhe të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë nuk shikoj njeri nga lart-poshtë dhe as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart-poshtë”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe nuk ka pasur tensione apo kërcënime siç është raportuar në media. “Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku zhvillohen këto bisedime. Besoj se edhe deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë të qarta”, përfundoi ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit