

Në prag të përfundimit të procesit të zgjedhjeve të reja në degët e Partia Demokratike e Shqipërisë në të gjithë vendin, kryetari i saj Sali Berisha duket se ka gati platformën e re për emërimin e drejtuesve politikë në qarqe, një hap që synon riorganizimin dhe fuqizimin e opozitës në nivel kombëtar.
Pas vendimit të mëparshëm për të caktuar Luçiano Boçi drejtues politik në qarkun e Shkodrës, tashmë ish-deputeti i njohur i Elbasanit, Aurel Bylykbashi është caktuar drejtues politik në qarkun e Vlorës.
Edhe pse karriera e tij politike gjatë më shumë se tre dekadave të pluralizmit është ndërtuar kryesisht në Elbasan, Berisha duket se e konsideron përvojën e Bylykbashit të vlefshme për të forcuar strukturat e së djathtës në qarqe të tjera strategjike, përfshirë edhe Vlorën.
Ndërkohë, në kuadër të procesit të riorganizimit të strukturave të partisë, Partia Demokratike e Shqipërisë Dega Vlorë ka njoftuar zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e degës.
Sipas njoftimit zyrtar, më 15 mars 2026, nga ora 08:00 deri në 18:00, anëtarët e PD në Vlorë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e ri të degës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






