Transmetuar më 13-03-2026, 07:38

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror vijoi të rritet, duke arritur në 186,581 persona, ndërsa mesatarja për të gjithë vitin 2025 ishte 185,386 punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në krahasim me vitin 2024 administrata publike është zgjeruar me rreth 3 mijë punonjës, ose 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2002.

Në vitin 2002 Shqipëria kishte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë. Ndërsa në vitin 2025, 23 vite më vonë, popullsia ka rënë me rreth 22%, duke zbritur në afërsisht 2.36 milionë banorë, një tkurrje që lidhet kryesisht me emigracionin dhe rënien e lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend demografik rënës, apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve të konsiderueshme në platforma digjitale, numri i punonjësve në administratë është rritur ndjeshëm, sidomos pas vitit 2018.

Rritje e fortë e shpenzimeve për paga

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit arrinin në rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më pas, në vitin 2025, administrata publike numëron mbi 185 mijë punonjës, ndërsa shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë.

Krahasuar me vitin 2024, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është rritur me 12.7%, ndërsa shpenzimet për ta janë rritur me rreth 76%.

Investime të mëdha në e-qeverisje

Paralelisht me zgjerimin e administratës, janë rritur edhe investimet për qeverisjen digjitale. Vetëm në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u trefishua brenda një viti, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro).

Në vitin 2019, këto fonde ishin rreth 3.3 miliardë lekë, ndërsa në katër vitet e fundit shpenzimet totale për digjitalizimin arritën në 48.4 miliardë lekë, ose afro 500 milionë euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Përdorim i lartë i shërbimeve online

Të dhënat e Eurostat tregojnë se qytetarët shqiptarë përdorin shërbimet e e-qeverisjes më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, kryesisht sepse shumë procedura mund të kryhen vetëm online.

Sipas statistikave, 78% e qytetarëve shqiptarë kanë ndërvepruar me autoritetet publike në mënyrë elektronike gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa mesatarja e BE-së është 72%.

Probleme me funksionimin e platformave digjitale

Megjithatë, pavarësisht investimeve të mëdha, shërbimet digjitale publike kanë shfaqur probleme të vazhdueshme funksionimi gjatë muajve të fundit.

Platforma kryesore e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, e-Albania, është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe vështirësi në akses. Këto probleme kanë krijuar pengesa në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Administratë më e madhe për më pak banorë

Kalimi i shërbimeve në format online pritej të sillte një administratë më të vogël dhe më efikase. Megjithatë, të dhënat tregojnë të kundërtën.

Në vitin 2003, kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës të shtetit. Ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të zbresë në më pak se 13 banorë për një punonjës, duke treguar se pesha e administratës mbi popullsinë është rritur.

Kjo situatë e kthen sektorin publik në një strukturë gjithnjë e më të zgjeruar, e cila sipas analizave nuk i përgjigjet realitetit të ri demografik dhe as modernizimit të kushtueshëm të financuar nga taksapaguesit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit