

LEZHË – Hetimet për një aksident rrugor ku u përfshinë 13 automjete në aksin Milot–Lezhë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për pushim të procedimit penal nga Prokuroria e Lezhës, pavarësisht dëmeve të konsiderueshme materiale dhe personave të lënduar në këtë ngjarje.
Rasti u denoncua në emisionin investigativ Fiks Fare, i cili ngriti shqetësime për mënyrën se si është zhvilluar hetimi i aksidentit të ndodhur më 18 korrik 2024.
Sipas dëshmisë së qytetarit Aldi Lleshi, ai ishte duke darkuar në një restorant pranë rrugës Lezhë–Milot, ndërsa automjeti i tij ishte i parkuar në ambientet e lokalit. Dy automjete që lëviznin në kahe të kundërta u përplasën mes tyre dhe, për shkak të shpejtësisë së lartë, njëri prej tyre doli nga rruga dhe goditi 11 makina të tjera të parkuara.
Sipas tij, hetimet kanë qenë të mangëta, pasi nuk janë verifikuar kamerat e sigurisë dhe nuk janë marrë në pyetje disa nga personat e përfshirë. Ai pretendon se nga të dhënat e kroskotit të një prej automjeteve rezultonte se një mjet po lëvizte me shpejtësi rreth 220 km/h, ndërsa në dokumentet e prokurorisë shpejtësia është shënuar rreth 87 km/h.
Nga përplasja u përfshinë një automjet tip “Audi” dhe një “Mercedes-Benz”, ky i fundit sipas raportit po hynte në ambientet e lokalit. Për shkak të përplasjes, automjeti tjetër doli nga rruga dhe goditi makinat e parkuara.
Një tjetër problem i ngritur nga qytetarët është fakti se asnjë prej dy automjeteve që shkaktuan aksidentin nuk kishte siguracion, ndërsa shumë nga mjetet e dëmtuara vijojnë të mbeten të papërdorshme, pasi pronarët nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim.
Në një përgjigje zyrtare për emisionin, Prokuroria e Lezhës bëri të ditur se procedimi penal nr. 842 i vitit 2024 është dërguar në gjykatë më 29 dhjetor 2025 me kërkesë për pushimin e hetimeve. Sipas prokurorisë, vendimi është marrë pasi nga aktet e ekspertimit dhe raportet mjeko-ligjore nuk janë konstatuar pasoja që përbëjnë elementët e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Argumenti i organit të akuzës është se asnjë nga personat e përfshirë nuk ka pësuar dëmtime që të sjellin humbje të aftësisë për punë për më shumë se nëntë ditë dhe nuk ka pasur viktima.
Megjithatë, rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta, pasi nga aksidenti u dëmtuan rëndë 13 automjete dhe pronarët e tyre vijojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






