

Lideri i ri Suprem i Iranit: Barrë shumë e rëndë. Vendimin e mora vesh nga TV, nuk dija asgjë
Khamenei ishte kundër trashëgimitë të postit nga i biri. Çfarë deklaronte ai para se të vritej
Djali i Khameneit është tani lideri i ri suprem i Iranit. Praktikisht ai është i pari i vendit edhe pse vendi ka një president dhe një qeveri. Ajatollah Sejed Mojtaba Khamenei u shpall si lideri i ri suprem dhe dje doli për herë të parë me një mesazh të gjatë për kombin, fjalim që bartte mesazhe direkte dhe për SHBA, Izraelin dhe pjesën tjetër të botës.
I ati nuk donte që pushteti i tij të trashëgohej
Kushtetuta e Iranit kërkon që Udhëheqësi Suprem të ketë përvojë politike të konsiderueshme, ndërsa Moxhtaba nuk ka mbajtur poste formale politike brenda sistemit.
Sakaq, tradita shiite nuk e favorizon trashëgiminë familjare për postin e Udhëheqësit Suprem, përveç rastit të 12 Imamëve të konsideruar hyjnorë. Në vitin 1989, Ali Khamenei u zgjodh Udhëheqës Suprem në vend të Ahmad Khomeinit, djalit të Ruhollah Khomeinit, pikërisht për të shmangur perceptimin e një trashëgimie familjare.
Në vitet e fundit, vetë Ali Khamenei kishte deklaruar se diktatura dhe qeverisja trashëgimore nuk janë në përputhje me parimet islame. Në vitin 2024, Ajatollah Mahmoud Mohammadi Araghi u citua të ketë thënë se Khamenei kishte ndaluar procedurat mbi mundësinë e pasardhësisë së Mojtabas, duke paralajmëruar kundër planeve për një kalim pushteti brenda familjes.
Moxhtaba: Nuk e dija që do bëhesha lider suprem
Udhëheqësi i Revolucionit Islamik, Ajatollah Sejed Mojtaba Khamenei në mesazhin drejtuar popullit iranian tha që në fillim se ai as që e dinte madje e mori vesh nga tv që ishte emëruar lider suprem.
"Jam informuar në lidhje me këtë vendim njëkoësisht me ju dhe nëpërmjet Radio Televizionit të Republikës Islamike të Iranit. Për mua personalisht është një punë shumë e vështirë të ulem në një vend në të cilin janë ulur dy udhëheqësit e nderuar, Imam Khomejni dhe Ajetullah Khamenei i dashur".
Kemi shumë humbje
Moxhtaba tha se shumë iranianë kanë humbur njerëzit e tyre në këtë luftë, foli për të plagosurit dhe për ata që kanë humbur shtëpitë ose bizneset e tyre. Ai tregoi se "ka përjetuar dhimbje të tilla: përveç babait tim, kam humbur bashkëshorten time të dashur, motrën time dhe fëmijën e saj të vogël, si dhe bashkëshortin e një motre tjetër".
Irani do të bëjë drejtësi
"I siguroj të gjithë se ne nuk do të heqim dorë nga hakmarrja për gjakun e dëshmorëve. Çdo iranian i vrarë nga armiku është një çështje më vete për drejtësi. Një pjesë e këtij hakmarrjeje tashmë është realizuar, por çështja nuk do të mbyllet derisa drejtësia të realizohet plotësisht, veçanërisht për gjakun e fëmijëve", tha Moxhtaba.
Dëmshpërblim për gjithçka
Ndërsa tha se të plagosurit duhet të marrin trajtim falas dhe mbështetje të plotë, ai kërkoi të ndërmerren masa për kompensimin e dëmeve materiale duke theksuar se këto janë detyra të detyrueshme për institucionet përgjegjëse.
Ndërsa tha: "Ne gjithashtu do të kërkojmë dëmshpërblim nga armiku. Nëse refuzon, do të marrim nga pasuritë e tij aq sa e konsiderojmë të drejtë, dhe nëse kjo nuk është e mundur, do të shkatërrojmë pasuri të barabarta me dëmin e shkaktuar".
Mesazh për fqinjët
Moxhtaba iu drejtua edhe udhëheqësve të disa vendeve të rajonit: "Irani ka kufij tokësorë ose detarë me 15 vende dhe gjithmonë ka dëshiruar marrëdhënie të mira me to. Por armiku prej vitesh ka ndërtuar baza ushtarake dhe financiare në disa prej këtyre vendeve për të siguruar kontrollin e tij në rajon. Në sulmet e fundit disa nga këto baza janë përdorur, prandaj ne kemi goditur vetëm ato baza pa sulmuar vetë vendet".
Këtu ai lëshoi një paralajmërim: "Nëse këto baza vazhdojnë të përdoren kundër Iranit, ne do të vazhdojmë t’i godasim".
Megjithatë, Moxhtaba shtoi se "ne ende besojmë në marrëdhënie miqësore me fqinjët tanë", duke apeluar: "Ata duhet të vendosin qartë qëndrimin e tyre ndaj agresorëve. U rekomandoj të mbyllin sa më shpejt këto baza, sepse pretendimet e SHBA-së për siguri dhe paqe janë treguar qartë se janë të pavërteta".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






