

Në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit ka nisur procedurat për pajisjen me leje qëndrimi të muxhahedinëve iranianë që jetojnë në kampin Ashraf 3. Gjashtë punonjës të Identitek ndodhen brenda kampit prej disa ditësh, duke kryer aplikimet për dokumentacionin përkatës, sipas planit të masave të sigurisë që parashikon zhvillimin e procedurave brenda kampit, pa paraqitjen e banorëve në zyrat shtetërore.
Aktualisht në kamp jetojnë mbi 2,500 muxhahedinë iranianë, pjesë e organizatës opozitare iraniane në emigrim, e formuar në vitin 1965 dhe prej dekadash në konflikt me regjimin në Iran. Pas revolucionit islamik, grupi u vendos në Irak dhe më pas u zhvendos drejt vendeve perëndimore pas ndërhyrjes së SHBA në rajon.
Shqipëria pranoi për herë të parë një grup muxhahedinësh në vitin 2013, në bazë të një marrëveshjeje me SHBA-në. Më pas, numri i tyre u rrit, duke çuar në ndërtimin e kampit Ashraf 3 në Manzë, i cili funksionon si një strukturë e organizuar për mijëra anëtarë të opozitës iraniane.
Që nga viti 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, pas përfshirjes së Iran në një sulm kibernetik ndaj sistemeve shtetërore shqiptare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






