

SPANJË – Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Valencia, pasi goditi me grushte dy oficerë gjatë një kontrolli dhe i kërcënoi se do t’i vriste sapo të lirohej. Ngjarja ndodhi në orën 13:30 të së hënës, në Calle María Cristina, pranë Plaza del Ayuntamiento, ku i riu ishte shtrirë në trotuar duke penguar kalimin e këmbësorëve.
Sipas mediave spanjolle, i arrestuari u tregua agresiv që nga momenti i parë dhe i sulmoi oficerët, duke thyer syzet e tyre. Për ta neutralizuar, u desh ndërhyrja e tre agjentëve të tjerë. Gjatë përleshjes, i riu shfaqi një sjellje të çrregullt dhe më pas u shtrua në njësinë psikiatrike të një spitali në Valencia, pas ekzaminimit nga mjeku ligjor.
Specialisti psikiatrik konstatoi shenja të qarta të një çrregullimi mendor në gjendje dekompensimi, me mundësi çrregullimi bipolar dhe delire madhështie, gjë që ndikonte në arsyetimin e tij. Gjyqtarja vendosi që para dhënies së deklaratës të kryhej ekzaminimi i plotë mjekësor për gjendjen e tij.
I arrestuari kishte kërcënuar me fjalët:
“Herën tjetër do të vrs një polic me thikë, jam i lodhur nga bezdisjet e tyre.”*
Rasti është duke u trajtuar si një incident serioz për sigurinë e oficerëve dhe komunitetit, ndërsa autoritetet spanjolle nënvizojnë nevojën për vlerësim psikologjik dhe mjekësor të personave të përfshirë në incidente të ngjashme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






