

Sektori publik në Shqipëri vijon të mbetet punëdhënësi më konkurrues për sa i përket pagave. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, paga mesatare në administratën shtetërore gjatë vitit 2025 ka kaluar për herë të parë pragun e 100 mijë lekëve, duke arritur në 100,280 lekë.
Ndërkohë, paga mesatare në sektorin privat është regjistruar në 77,155 lekë, çka do të thotë se shteti paguan zyrtarisht rreth 30% më shumë se bizneset private. Diferenca mes dy sektorëve ka arritur në mbi 23 mijë lekë.
Hendeku i pagave po zgjerohet
Të dhënat tregojnë se, edhe pse pagat në sektorin privat kanë shënuar rritje, ritmi i rritjes në administratën publike ka qenë më i shpejtë gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2025, paga në sektorin shtetëror u rrit me 8.9%, një ritëm më i ulët se në vitin 2024 kur rritja ishte rreth 16%. Nga ana tjetër, paga mesatare mujore bruto në sektorin privat u rrit me 8.4% në baza vjetore.
Hendeku mes dy sektorëve ishte ngushtuar ndjeshëm në vitin 2022, kur pagat në administratën publike ishin rreth 20% më të larta se në privat. Megjithatë, në vitet pasuese diferenca është zgjeruar sërish, duke arritur në 30% gjatë vitit 2025.
Presion për bizneset dhe tregun e punës
Ekspertët vlerësojnë se ky trend krijon presion shtesë për sektorin privat, i cili përballet njëkohësisht me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit dhe me konkurrencën e pagave më të larta në administratën publike.
Politikat qeveritare për rritjen e pagave kanë qenë pjesë e planit për ta çuar pagën mesatare në rreth 900 euro, një objektiv që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e pagave në sektorin shtetëror.
Rritja e pagave dhe ndikimi në ekonomi
Ecuria e pagave në sektorin publik ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga viti 2020, kur paga mesatare ishte rreth 64,389 lekë. Pas vitit 2022 rritja është përshpejtuar, duke arritur në 81,887 lekë në vitin 2023 dhe duke vijuar të rritet edhe në vitet pasuese.
Edhe sektori privat ka shënuar rritje të ndjeshme, me pagën mesatare që nga rreth 48,459 lekë në vitet e mëparshme ka arritur në 77,155 lekë në vitin 2025.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se rritja e pagave, nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit, mund të shtojë presionin inflacionist në ekonomi, pasi bizneset shpesh detyrohen të reflektojnë kostot më të larta të punës në çmimet përfundimtare për konsumatorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






