

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me ndalimin e reperit Gjesti, i cili dyshohet për përfshirje në disa vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të prokurorit kujdestar, këngëtari është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, të parashikuara në Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Prokuroria bëri të ditur se personi i ndaluar është i njohur për opinionin publik si këngëtari Gjesti.
Sipas autoriteteve, Prokuroria e Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit.
Për shkak të fazës së hershme të hetimeve dhe për të ruajtur integritetin e procesit, prokuroria theksoi se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike detaje shtesë.
Ndërkohë, brenda afateve ligjore, Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të vendosë për masat e mëtejshme procedurale, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






