

Bruksel – Parlamenti Europian ka miratuar raportin për zgjerimin e Bashkimi Europian me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, duke theksuar se zgjerimi mbetet një imperativ strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e bllokut.
Sipas Parlamentit, mbyllja e derës për vendet aspirante do të ishte më e kushtueshme për BE-në, pasi do të krijonte “zona gri” gjeopolitike rreth Evropës, ku kundërshtarët e Unionit mund të rrisin ndikimin e tyre.
Në raport përmenden edhe Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat synojnë të përfundojnë negociatat e anëtarësimit përkatësisht deri në vitet 2026 dhe 2027. Parlamenti thekson se nëse këto vende zbatojnë reformat e nevojshme dhe të prekshme, BE-ja duhet të njohë dhe mbështesë ambiciet e tyre për anëtarësim.
Institucioni europian i kujton vendeve kandidate se procesi i integrimit kërkon angazhim të fortë në sundimin e ligjit, reformat demokratike, lirinë e medias, të drejtat e pakicave, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe mbështetje për shoqërinë civile. Gjithashtu, një tregues i rëndësishëm mbetet përputhja e politikës së jashtme dhe të sigurisë me qëndrimet e përbashkëta të BE-së.
Raporti bën thirrje edhe për hapjen e shpejtë të grupeve negociuese me Ukraina dhe Moldavia, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, pa bërë kompromis me vlerat themelore të Unionit.
Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti lituanez Petras Auštrevičius, theksoi se çdo zgjerim i BE-së ka rritur ndikimin politik dhe peshën ekonomike të Unionit, duke kontribuar në prosperitetin dhe sigurinë e Evropës. Megjithatë, sipas tij, procesi duhet të shoqërohet edhe me reforma të brendshme në BE, për të përmirësuar vendimmarrjen dhe funksionimin e bllokut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






