

Durrës – Procedura e tenderit për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano është ndërprerë pas tërheqjes së kompanisë së vetme që kishte mbetur në garë, Archirodon Construction (overseas) Company Limited. Afati për paraqitjen e ofertës ekonomike u mbyll më 9 mars, por kompania nuk dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe konsiderohet kyç për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonominë e vendit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se tërheqja e ofertuesit lidhet me arsye ekonomike, kryesisht rritjen e kostove të projektit për shkak të krizës dhe shtrenjtimit të përgjithshëm të tregut. Ai nënvizoi se, pavarësisht vështirësive, projekti do të vijojë:
“Do ndërtojmë një skenar tjetër dhe çdo aktor tjetër apo faktor nuk do mundet ta frenojë këtë projekt, pasi është një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.”
Tenderi për portin e ri ka dështuar disa herë më parë, dhe në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, nga 5 konsorciume, vetëm njëra kaloi në fazën finale, por nuk dorëzoi ofertën e plotë. Komisioni do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm për vijimin e procedurës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






