Transmetuar më 11-03-2026, 11:35

Tiranë – Partia Socialiste e Shqipërisë pritet të zhvillojë zgjedhje të brendshme në strukturat e saj organizative. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Mbledhja, e cila u zhvillua në selinë rozë dhe zgjati rreth dy orë, u fokusua kryesisht në organizimin e strukturave të partisë dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme. Sipas Klosit, fillimisht do të zhvillohen zgjedhjet në strukturat bazë, ndërsa në muajin nëntor pritet të zgjidhen edhe strukturat qendrore të partisë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se më 21 mars do të mbahet një tjetër mbledhje e Kryesisë, ku diskutimet do të përqendrohen më konkretisht te organizimi i procesit dhe rivlerësimi i kontributit të anëtarëve të partisë.

“Në mbledhjen e datës 21 mars do të kemi diskutime më të detajuara dhe do t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në parti, me një rivlerësim të të gjithë kontributorëve të Partisë Socialiste”, u shpreh Blendi Klosi.

Sipas tij, një tjetër fokus i rëndësishëm i procesit organizativ do të jetë edhe zgjerimi i strukturave të partisë në diasporë. Klosi theksoi se synohet ngritja e strukturave të PS-së në vendet ku partia ka marrë numrin më të madh të votave nga shqiptarët jashtë vendit në zgjedhjet e fundit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit