Transmetuar më 11-03-2026, 11:00

Tiranë – Ministria e Financave ka njoftuar ngritjen e një Task-Force të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve.

Vendimi u bë i ditur pas një takimi të zhvilluar nga ministri i Financave, Petrit Malaj, me drejtorin e përgjithshëm të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Besmir Beja. Në këtë takim u dakordësua plani operacional për ngritjen e strukturës së përbashkët monitoruese.

Task-Forca do të fokusohet në rritjen e efikasitetit të kontrolleve tatimore dhe doganore në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, me synim shmangien e rritjeve të pajustifikuara të çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Ministri Malaj theksoi se vendimi për ngritjen e këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në tregjet e energjisë.

Sipas tij, çmimet e karburanteve do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse për të parandaluar çdo rritje abuzive në treg.

“Kontrollet do të përfshijnë jo vetëm verifikimin e dokumentacionit tatimor dhe doganor, por edhe kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga operatorët, si në pikat e shitjes me shumicë ashtu edhe në ato me pakicë”, u shpreh Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe do të bazohen në subjektet e identifikuara me risk.

Ndërsa drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, theksoi se institucionet kanë nisur tashmë analizën e riskut për operatorët që veprojnë në këtë sektor. Sipas tij, operacioni do të ketë një shtrirje afatgjatë dhe synon rritjen e formalizimit të tregut, si dhe garantimin e funksionimit të rregullt të sektorit të hidrokarbureve në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit