Transmetuar më 11-03-2026, 07:30

TIRANË – Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Të dhënat janë përpunuar nga revista ekonomike “Monitor”, bazuar në statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe platformës ndërkombëtare “Global Petrol Price”.

Sipas pasqyrës Ekonomike Globale të FMN-së, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri për vitin 2026 arrijnë në rreth 12 mijë dollarë në vit, ose afërsisht 33 dollarë në ditë. Ndërkohë, çmimi i një litri naftë në vend ishte rreth 200 lekë, ose rreth 2.4 dollarë.

Kjo do të thotë se një qytetari shqiptar i duhen rreth 7.2% e të ardhurave të tij ditore për të blerë një litër naftë, përqindja më e lartë mes vendeve europiane të përfshira në analizë.

Në krahasim me vendet e rajonit, pesha e karburantit mbi të ardhurat është të paktën dy herë më e lartë. Në Serbi, një litër naftë përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi rreth 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, një nga tregjet me çmimet më të larta nominale të karburantit në Europë, pesha e një litri nafte në raport me të ardhurat është rreth 2.5%.

Në vendet më të zhvilluara europiane diferenca është edhe më e madhe, për shkak të nivelit më të lartë të të ardhurave. Në shtete si Italia, Franca, Gjermania apo Belgjika, një litër karburant zakonisht përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave mesatare ditore. Në disa vende të Europës Veriore kjo peshë është edhe më e ulët.

Për shembull, Holanda mban çmimin më të lartë të naftës në Europë në vlerë absolute, por një qytetari atje i nevojitet vetëm rreth 1.1% e të ardhurave ditore për të blerë një litër, rreth shtatë herë më pak se në Shqipëri.

Edhe në terma nominalë, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimet më të larta të karburantit në kontinent, duke u pozicionuar e pesta në Europë pas Holandës, Danimarkës, Norvegjisë dhe Zvicrës. Në këto vende, megjithatë, çmimi i naftës është vetëm 10 deri në 30 cent më i lartë se në Shqipëri, ndërkohë që të ardhurat e qytetarëve janë shumë më të larta.

Një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta në vend mbetet pesha e taksave, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit final të karburantit. Mes tyre përfshihen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja prej 20%.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se në tregun vendas rritja e çmimeve të karburantit reflektohet shumë shpejt kur ato shtrenjtohen në bursat ndërkombëtare, ndërsa ulja e tyre transmetohet më ngadalë, çka ndikon në rritjen e kostove për familjet dhe bizneset. Karburanti mbetet një ndër komponentët kryesorë të kostove të transportit dhe logjistikës, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e mallrave dhe shërbimeve në ekonomi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit