

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të enjten seancën plenare të radhës, ku një nga çështjet kryesore në rendin e ditës është shqyrtimi i projektvendimit për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku.
Sipas rendit të ditës, pika e tretë e seancës parashikon shqyrtimin e projektvendimit: “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Procedura bazohet në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, ndërsa për miratimin e projektvendimit kërkohet shumicë e thjeshtë votash.
Çfarë parashikon seanca
Gjatë shqyrtimit të çështjes në seancën plenare do të zhvillohen pikat e mëposhtme:
Fjalimi i deputetes Belinda Balluku;
Paraqitja e raportit nga pakica parlamentare, përfaqësuar nga anëtarët e Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin;
Paraqitja e raportit nga shumica parlamentare, gjithashtu nga anëtarët e këtij këshilli;
Votimi në seancë për miratimin e projektvendimit.
Seanca pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi imuniteti i deputetes Balluku ka qenë ndër temat më të debatueshme në skenën politike kohët e fundit.
Ndonëse formalisht është parashikuar fjalimi i deputetes, nuk dihet ende nëse ajo do të flasë vetë para deputetëve.
Përveç kësaj, opozita ka njoftuar një protestë jashtë Parlamentit në të njëjtën ditë, duke shtuar tensionin rreth zhvillimeve parlamentare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






