

Tre punonjëse të një shkolle 9-vjeçare në Vlorë janë vënë nën hetim nga policia pas një kallëzimi të bërë nga nëna e një nxënësi. Bëhet fjalë për një mësuese, një psikologe dhe një oficere sigurie, të cilat dyshohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Sipas informacioneve zyrtare, nëna e nxënësit ka denoncuar se punonjëset e institucionit arsimor nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar dhe menaxhuar një konflikt që ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, ku është përfshirë djali i saj së bashku me disa bashkëmoshatarë.
Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori, e cila ka nisur procedimin penal ndaj shtetaseve E. H., 56 vjeçe, O. Zh., 42 vjeçe dhe A. I., 42 vjeçe, që ushtronin përkatësisht detyrën e mësueses, psikologes dhe oficeres së sigurisë në shkollën publike.
Sipas njoftimit të policisë, hetimet janë në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësinë e mundshme të punonjëseve të institucionit arsimor në menaxhimin e situatës.
Njoftimi:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal, për veprën “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset E. H., 56 vjeçe, O. Zh., 42 vjeçe dhe A. I., 42 vjeçe, përkatësisht mësuese, psikologe dhe oficere sigurie, në një shkollë publike 9-vjeçare, pasi ka kallëzuar nëna e një nxënësi, se këto shtetase nuk kanë ndërhyrë për parandalimin dhe administrimin e një konflikti në shkollë, në të cilin janë përfshirë djali i saj dhe bashkëmoshatarë të tij.“, thuhet në njoftimin e policisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






