

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Rotondo”, pas një hetimi dymujor që çoi në goditjen e një grupi të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje. Ndërkohë është identifikuar dhe shpallur në kërkim një bashkëpunëtor i tyre, shtetasi me inicialet E. S.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, me qëllim goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit.
Gjatë ndërhyrjes, policia ndaloi për kontroll në zonën e quajtur “Rrethi i Freskut” automjetin tip “Volkswagen” që drejtohej nga 22-vjeçari Florian Gjeta, ku pasagjer ishte Donati Jaku.
Nga kontrolli në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 6 armë zjarri pistoleta të markës “Sig Sauer”, të dyshuara se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen kryesisht në zonën e Freskut.
Gjithashtu u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin armët si dhe katër telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






