

Një lajm i trishtë ka ardhur nga Italia, ku ka ndërruar jetë infermierja 22-vjeçare nga Librazhdi, Klarisa Zharri. E reja nuk arriti ta fitojë betejën për jetën, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe mbështetjes së madhe që mori nga komuniteti.
Lajmin e dhimbshëm e bëri të ditur edhe Taulant Balla, i cili shprehu ngushëllimet për familjen dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuan për ta ndihmuar.
“Një lajm shumë i trishtë nga spitali në Itali ku vajza jonë e shkëlqyer nga Librazhdi, Klarisa Zharri, nuk ia doli dot ta fitonte betejën për jetën megjithë përpjekjet e mjekëve. Ngushëllime familjes, të fejuarit Olsit dhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan me zemër të bardhë për ta ndihmuar”, u shpreh ai.
Infermierja 22-vjeçare ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë, e cila kishte shkaktuar cirrozë të avancuar dhe dështim funksional të organit. Shpresa e vetme për të ishte një transplant mëlçie, një ndërhyrje jetike që kërkonte mbështetje të madhe financiare.
Apeli për ndihmë mobilizoi një komunitet të tërë. Qytetarë nga Librazhdi, shqiptarë nga qytete të tjera dhe diaspora u bashkuan për të mbledhur rreth 100 mijë eurot e nevojshme, duke i mundësuar Klarisës trajtimin në një nga qendrat më të njohura të transplanteve në Itali.
Solidariteti i treguar u bë një shembull i rrallë humanizmi. Qindra njerëz kontribuan me donacione, mesazhe mbështetjeje dhe ndihmë në çdo formë të mundshme.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe shpresës së madhe të të gjithë atyre që u bashkuan për ta ndihmuar, e reja nuk arriti ta mposhtë sëmundjen.
Deputeti i PS, Taulant Balla:
"🖤 Një lajm shumë i trishtë nga spitali në Itali ku vajza jonë e shkëlqyer, nga Librazhdi, Klarisa Zharri nuk ia doli dot ta fitonte betejën për jetën 😭 megjithë përpjekjet e mjekëve. Ngushëlime familjes, të fejuarit Olsit dhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan me zemër të bardhë për ta ndihmuar, por zoti vendosi ta merrte."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






