Transmetuar më 10-03-2026, 11:00

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar për herë të dytë kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i dosjes së “Gërdecit”.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, e cila vendosi të mos pranojë kërkesën e mbrojtjes për largimin e Gjokës nga procesi gjyqësor ku Mediu akuzohet për shpërdorim detyre.

Gjatë seancës, përballë gjyqtares Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, avokati i Mediut, Henrik Ligori, paraqiti argumentet e mbrojtjes duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga prokuroria.

Sipas Ligorit, Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy nivele drejtimi: një pjesë politike dhe një pjesë teknike që përfaqësohet nga Shtabi i Përgjithshëm. Ai theksoi se përgjegjësitë për çështjen e Gërdecit janë marrë nga personat që kishin detyrat përkatëse.

Avokati kundërshtoi gjithashtu akuzat që lidhen me menaxhimin e municioneve, duke deklaruar se nuk ekziston një akt ligjor që i ndan ato sipas kalibrit dhe se ministri merret me politikat e institucionit, ndërsa çështjet teknike trajtohen nga Shtabi i Përgjithshëm.

Ligori shtoi se nuk mund t’i atribuohet një ministri politik përgjegjësi teknike, ndërsa për transportin e municioneve theksoi se kjo nuk është detyrë e ministrit, pasi ekzistojnë struktura të tjera që merren me procedurat dhe dokumentacionin përkatës.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e saj nga çështja, duke sqaruar se kërkesa nuk u pranua edhe për shkak të mosrespektimit të afateve procedurale.

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes vijon në GJKKO. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit