

Shpërthim gjatë natës në Tiranë, dëmtohet një automjet i parkuar
Një shpërthim është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku një sasi lënde plasëse dyshohet se është vendosur në një automjet të parkuar në rrugën “Vasil Ndocka”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:50. Sipas policisë, automjeti i dëmtuar është në pronësi të shtetasit Oltion Klosi, 36 vjeç.
I riu jeton mes Spanjës dhe Shqipërisë. Ai ka qenë i arrestuar në vitin 2013 për armëmbajtje pa leje.
Pamje filmike që janë sekuestruar tregojnë një person hipur mbi biçikletë që hedh lëndën plasëse dhe largohet me të shpejtë.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale në automjet.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 10.03.2026, rreth orës 01:50, në rrugën ‘Vasil Ndocka’, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjetin e parkuar në pronësi të shtetasit O. K., 36 vjeç. Nga shpërthimi nuk ka persona të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”
Foto ilustruese
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






