Transmetuar më 10-03-2026, 08:05

Inflacioni në vend shënoi rritje gjatë muajit shkurt, duke arritur në 2.5%, nga 2.3% që ishte në janar. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë, ky është niveli më i lartë i inflacionit në shtatë muajt e fundit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja e çmimeve është gjithashtu më e lartë. Në shkurt të vitit 2025, inflacioni ishte në nivelin 1.9%.

Sipas statistikave, rritja vjetore e çmimeve në shkurt 2026 është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, i cili shënoi rritje prej 5.3%. Pas tij renditen grupet “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3%, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2% dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2.4%.

Rritje janë regjistruar gjithashtu në grupet “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2.3%, “Pije alkoolike dhe duhan” si dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me nga 2.2% secili. Ndërkohë, “Shërbimi arsimor” është rritur me 1.9%, ndërsa “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.7%.

Sa i përket kontributit në inflacion, ndikimin më të madh e ka pasur grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me +1.06 pikë përqindje. Pas tij vjen grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me +0.60 pikë përqindje.

Kontribute më të vogla kanë dhënë edhe grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” (+0.15 pikë përqindje), “Restorante dhe shërbime akomodimi” (+0.13 pikë përqindje), “Pije alkoolike dhe duhan” (+0.11 pikë përqindje) dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” (+0.10 pikë përqindje).

Ndërkohë, sipas projeksioneve të Banka e Shqipërisë, inflacioni pritet të rikthehet pranë objektivit prej 3% gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Megjithatë, zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, si edhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës, mund të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të inflacionit gjatë muajve në vijim.

Aktualisht, norma bazë e interesit në Shqipëri qëndron në nivelin 2.5%, por skenarët e rinj inflacionistë mund të sjellin një rishikim të projeksioneve dhe një kurs të ri të politikës monetare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit