Transmetuar më 10-03-2026, 07:39

Rrjeti rrugor në vend është pakësuar me rreth 181 kilometra në periudhën 2014–2024, kryesisht si pasojë e riklasifikimit të inventarit rrugor dhe amortizimit të lartë të disa segmenteve në zonat rurale. Të dhënat bëhen të ditura nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë.

Sipas statistikave zyrtare, qarku me rritjen më të madhe të gjatësisë së rrugëve është Shkodra. Në këtë qark, rrjeti rrugor është zgjeruar me 54.1 kilometra, ose rreth 13% më shumë krahasuar me vitin 2014. Rritja lidhet kryesisht me ndërtimin e rrugës së re drejt Thethit dhe aksit Tamarë–Vermosh.

Në të njëjtën prirje pozitive renditet edhe Vlora, ku gjatësia e rrugëve është shtuar me 50.4 kilometra, ose rreth 12%. Kjo rritje i atribuohet ndërtimit të Bypass-it të Vlorës dhe zhvillimit të rrugës së Lumit të Vlorës.

Ndërkohë, zgjerim të rrjetit rrugor kanë shënuar edhe Elbasani dhe Korça. Në Elbasan, gjatësia e rrugëve është rritur me 32.5 kilometra (+9%), ndërsa në Korçë me 24.7 kilometra (+7%).

Këto qarqe konsiderohen ndër përfituesit kryesorë të investimeve në infrastrukturë gjatë dekadës së fundit.

Në anën tjetër, shumica e bashkive në vend kanë shënuar tkurrje të gjatësisë së rrjetit rrugor. Reduktimin më të madh në vlerë absolute e regjistron Tirana, me 68.6 kilometra më pak rrugë (-22%) në periudhën 2014–2024.

Rënie të ndjeshme kanë shënuar edhe Fieri me 68.2 kilometra më pak (-19%), Lezha me 59.9 kilometra (-19%), Kukësi me 50.1 kilometra (-13%), Durrësi me 36.5 kilometra (-20%) dhe Dibra me 39.7 kilometra (-14%). Edhe Berati ka pësuar tkurrje me 17.9 kilometra (-10%), ndërsa Gjirokastra ka regjistruar një rënie më të lehtë prej 2.5 kilometrash (-1%).

Rënia e gjatësisë së rrjetit rrugor në disa bashki duket paradoksale, veçanërisht në një periudhë kur në infrastrukturë janë investuar miliarda euro nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se një pjesë e madhe e investimeve gjatë dekadës së fundit nuk janë përdorur për hapjen e kilometrave të rinj të rrugëve, por për rindërtimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrugëve ekzistuese.

Një tjetër faktor lidhet me procesin e përditësimit të inventarit pas reformës territoriale dhe verifikimeve të kryera vitet e fundit. Në shumë raste, bashkitë kanë hequr nga regjistrat segmente që nuk konsiderohen më rrugë funksionale, duke riklasifikuar rrugë rurale të amortizuara ose me përdorim të kufizuar, citon Monitor.

Ndryshimet në ndarjen e kompetencave ndërmjet pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore kanë ndikuar gjithashtu në këto statistika. Si pasojë, një pjesë e reduktimeve të raportuara lidhen me përditësimin e inventarit, riklasifikimin e segmenteve rrugore dhe ndryshimet në metodologjinë e matjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit