Transmetuar më 09-03-2026, 22:54

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar aludimet për një supozuar pakt mes saj dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për të rrëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke i cilësuar këto teori si “absurde dhe të rrezikshme”. Ajo deklaroi se disa nga këto shpifje kanë çuar deri te kërcënime publike me pushkatim ndaj saj.

Osmani theksoi se gjatë mandatit të saj, tërë veprimtaria e saj ka qenë e përqendruar te mbrojtja e interesave të Kosovës dhe ekspozimi i agresionit të Serbisë ndaj vendit.

“Të barazohem me Vuçiçin, kjo po e them është e rrezikshme, sepse ka rezultuar edhe me thirrje publike për pushkatim. Këto konspiracione, këto shpifje, këto sulme në asnjë moment nuk do më zbrapsin,” tha Osmani.

Ajo shtoi se nuk ekzistojnë prova për ndonjë marrëveshje me kryeministrin Rama dhe theksoi dallimet e qarta që ka pasur me të mbi çështje të ndryshme, përfshirë Open Balkans.

“Ku i keni faktet? Ku i keni dëshmitë që presidentja e Republikës së Kosovës është involvuar në ndonjë lloj komploti, në ndonjë lloj skenari e aq më pak me kryeministrin Rama,” tha Osmani, duke iu bërë thirrje të gjithëve të bazohen në fakte.

Presidentja gjithashtu nënvizoi rëndësinë e fokusimit të energjisë politike dhe qytetare drejt Serbisë dhe sfidave reale të vendit, në vend të shpifjeve dhe sulmeve personale ndaj saj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit