

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas sulmit me raketa balistike ndaj Turqisë nga ana e Iranit, duke dënuar ashpër veprimet e regjimit iranian.
Në deklaratën e tij, Rama thekson se ky sulm është thellësisht shqetësues dhe përbën një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai nënvizon se Turqia është një vend vëlla, partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i rëndësishëm në NATO, dhe se Shqipëria qëndron e bashkuar me aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës.
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
“Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
Turqia është një vend vëlla, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i çmuar i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tensione dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






