Transmetuar më 09-03-2026, 16:52

Çmimi i naftës në tregun vendas të shitjes me pakicë ka pësuar një tjetër rritje, duke arritur deri në 189 lekë për litër në disa pika karburanti në Tiranë. Rritja vjen si pasojë e luhatjeve të forta të çmimeve në bursat ndërkombëtare pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Sipas një vëzhgimi të kryer nga Monitor, në disa pika karburanti çmimi është rritur me 7 lekë për litër, nga 182 lekë që ishte më 6 mars, duke arritur në 189 lekë për litër. Ky çmim është regjistruar në një pikë të kompanisë Elda pranë zonës së Oxhakut.

Rritje është shënuar edhe për benzinën. Në një pikë të kompanisë Coral pranë zonës “Casa Italia”, benzina është shitur me 186 lekë për litër, ndërsa nafta me 181 lekë për litër.

Ndërkohë, në disa pika të tjera karburanti çmimet kanë mbetur të pandryshuara. Në një pikë të kompanisë Gega Oil pranë Tregut Ushqimor, nafta vijon të tregtohet me 182 lekë për litër, i njëjti çmim që nga 6 marsi. Po ashtu, përgjatë autostradës, në një pikë të kompanisë Kastrati në Vorë, nafta shitet me 182 lekë për litër, ndërsa në një pikë të Alpet çmimi mbetet gjithashtu 182 lekë për litër.

Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas nisi më 4 mars, kur çmimi u rrit nga 175 në 179 lekë për litër. Më 6 mars ai u rrit sërish në 182 lekë për litër, ndërsa rritja e fundit e çon çmimin deri në 189 lekë për litër në disa pika karburanti.

Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm. Në mbrëmjen e djeshme ai arriti në rreth 100 dollarë për fuçi, ndërsa mëngjesin e sotëm u ngjit në 103 dollarë për fuçi. Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, nafta tregtohej me rreth 65 dollarë për fuçi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit