

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po përfshihet në skandale korruptive dhe se po tenton të ndërtojë Portin e Durrësit me investitorë rusë, duke cenuar interesat strategjike të Shqipërisë dhe partneritetin me NATO.
Berisha theksoi se Rama, përmes projektit të portit, po shkatërron pasurinë publike me vlerë 4 miliardë euro dhe po favorizon interesat e tij personale, duke injoruar alternativat e ofruara nga aleatët strategjikë:
“Ai u përpoq të tërhiqet nga alternativa e NATO-s, por dështoi me turp dhe tani kërkon ta ndërtojë me rusët dhe të tjerët, që kanë interesa të kundërta strategjike me NATO-n dhe Shqipërinë,” deklaroi Berisha.
Kreu i selisë blu akuzoi gjithashtu kryeministrin se po mbron të korruptuarit dhe po anekson Parlamentin:
“Rama është i gatshëm për çdo skenar që të mos paraqitet para ligjit dhe drejtësisë. Parlamenti është totalisht i aneksuar, drejtësia shumëzohet me zero nga Rama. Ai garantoi qytetarët se vjedhja nga zyrtarët nuk do ndëshkohet,” shtoi Berisha.
Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar shqiptarët të protestojnë më 12 mars para Parlamentit:
“Fjala është e qytetarëve. Në datën 12 e gjithë Shqipëria para Parlamentit, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi. Shqiptarët nuk do pajtohen kurrë me vendimin e Ramës që thonë se vjedhja e tij dhe e qeveritarëve nuk mund të ndëshkohet.”
Deklaratat e Berishës theksojnë tensionet e vazhdueshme mes shumicës dhe opozitës mbi projektet strategjike të qeverisë dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, duke krijuar një skenar politik me ndikim edhe në raportet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






