

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi ashpër pas vendimit të shumicës socialiste për të mos lejuar heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron korrupsionin dhe pengon drejtësinë në vend.
Sipas tij, vendimi i PS-së është një përpjekje për të bllokuar hetimet dhe për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera korruptive:
“SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo,” tha Bardhi.
Ai e konsideroi këtë situatë jo thjesht si një debat politik, por si një test kritik për Shqipërinë në raport me integrimin europian, duke theksuar se Bashkimi Europian kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta.
Bardhi njoftoi se opozita do të organizojë një protestë qytetare më 12 mars para Parlamentit, për të treguar se qytetarët nuk do të pranojnë pengimin e drejtësisë:
“Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut. Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt,” deklaroi kreu i PD-së.
Reagimi i Bardhit vjen pas vendimit të PS-së për të refuzuar kërkesën e SPAK, duke konfirmuar ndarjen e thellë mes shumicës dhe opozitës për trajtimin e hetimeve ndaj Ballukut dhe impaktin e tyre mbi perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






