

Tiranë- Në përfundim të fjalës së tij për mbi një orë para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama falënderoi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për gjashtë vitet e drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe komentoi situatën e krijuar pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Rama theksoi se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk është e mbështetur nga prova të mjaftueshme dhe se ish-ministrja, tashmë vetëm deputete, do të përballet me çështjen ligjore me ndihmën e avokatëve të saj.
“E falënderoj Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për gjashtë vite me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë ai, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj,” deklaroi Rama.
Kryeministri gjithashtu kërkoi ndjesë për mospranimin e tre dorëheqjeve të dorëzuara nga Balluku gjatë mandatit të saj, duke sqaruar se kjo ishte për të ruajtur pavarësinë e institucionit dhe për të respektuar parimet e drejtësisë dhe të ekzekutivit.
“Ju e dini që pavarësia e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ është thelbësore. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo do të jetë e patolerueshme sa të jem unë në këtë detyrë,” përfundoi Rama, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe procedurave, pavarësisht presionit politik apo mediatik.
Ky qëndrim i kryeministrit vijon debatet intensive për imunitetin dhe masën e sigurisë ndaj Ballukut, ndërsa PS-ja ka refuzuar kërkesën e SPAK për arrestim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






