

Pas leximit të raportit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u vendos refuzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit socialist.
Rama theksoi se qëndrimi i PS-së është i qartë dhe publik: kërkesa e SPAK nuk ka mbështetje të mjaftueshme ligjore dhe nuk ka ndodhur asnjë shkelje flagrante.
“Sot jemi këtu që të shpallim publikisht qëndrimin tonë lidhur me kërkesën e SPAK për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut. Ndaj saj nuk ka një akuzë për vjedhje, korrupsion apo ndonjë vepër penale të kryer në flagrancë. Akuza mbështetet vetëm në dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres mund të ketë kryer veprën e mosbarazisë në tendera, bazuar në mesazhe të gjetura gjashtë vite më pas në celularin e një drejtori. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë,” deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se vendimi i PS-së reflekton seriozitetin e trajtimit të çështjes dhe ndarjen e qartë të politikës nga drejtësia, duke ruajtur parimet demokratike të procedurave parlamentare.
Raporti i PS-së, i prezantuar nga Ulsi Manja, konkludon se nuk ka elemente të mjaftueshme për të zëvendësuar masën aktuale të sigurisë – ndalimin e daljes jashtë vendit – me një masë më të rëndë, si arresti në burg apo në shtëpi, sipas parashikimeve ligjore.
Ky qëndrim vjen pas debatit të gjatë parlamentar mbi kërkesën e SPAK, duke vënë në fokus respektimin e procedurave ligjore dhe shmangien e politizimit të vendimeve.







Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






