

Tiranë- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të mos japë autorizimin për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku me arrest.
Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ku deputeti socialist Ulsi Manja prezantoi raportin e përgatitur nga anëtarët e PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve. Sipas këtij raporti, nuk ekzistojnë kushte ligjore që të justifikojnë ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut.
Manja argumentoi se pretendimi për rrezikun e prishjes së provave nuk është mbështetur me fakte konkrete nga organi i akuzës.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Janë konsiderata që lidhen kryesisht me funksionin që ka mbajtur më parë Belinda Balluku si ministre. Nëse do të kishte prishur prova, do të kishte edhe një akuzë të veçantë për këtë vepër penale”, deklaroi ai.
Sa i takon pretendimit për rrezik arratisjeje, Manja theksoi se një rrezik i tillë duhet të jetë real dhe i provuar, jo i supozuar.
Sipas tij, edhe pse Balluku ka qenë në dijeni të hetimeve që nga gushti i vitit 2024 dhe është njohur me akuzën e SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë vendit dhe është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurisë dhe të procedimit penal.
“Deputetja ka udhëtuar në Bukuresht, Athinë dhe Romë dhe në çdo rast është kthyer në Shqipëri. Kjo tregon një sjellje të rregullt ndaj autoriteteve dhe respektim të masës së sigurisë”, tha Manja.
Ai shtoi se edhe pretendimi për rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndron, pasi një rrezik i tillë duhet të jetë konkret dhe jo hipotetik.
Në përfundim, sipas raportit të shumicës socialiste, nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës aktuale të sigurisë – ndalimin e daljes jashtë shtetit – me një masë më të rëndë, si arresti në burg apo arresti në shtëpi, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






