

Deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Ulsi Manja, reagoi ndaj kritikave për zvarritjen e procesit të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetes Belinda Balluku.
Gjatë prezantimit të raportit në Kuvend, Manja deklaroi se SPAK po vijon hetimet pa asnjë pengesë dhe se Kuvendi nuk ka ndërhyrë në kompetencat e organit të akuzës për hetimin dhe ndjekjen penale.
Sipas tij, çështja që po shqyrtohet në Parlament lidhet vetëm me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, vendim për të cilin kërkohet autorizimi i Kuvendit.
“SPAK po heton lirisht dhe nuk është penguar në ushtrimin e kompetencave të tij sa i takon hetimit dhe ndjekjes penale. Por kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë është një procedurë që kërkon autorizimin përfundimtar nga seanca plenare e Kuvendit”, u shpreh Manja.
Ai hodhi poshtë akuzat se Kuvendi po pengon drejtësinë, duke i cilësuar ato si pretendime me natyrë politike.
“Pretendimet se Kuvendi, duke u kujdesur të zbatojë parimet e rëndësishme të demokracisë, po pengon drejtësinë, nuk kanë bazë ligjore, por janë pretendime me natyrë politike”, tha ai.
Manja theksoi gjithashtu se shumica parlamentare ka pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të vijonte me shqyrtimin e kërkesës, gjë që sipas tij tregon seriozitet në trajtimin e çështjes.
“Fakti që pritëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese e vërteton seriozitetin tonë. Ne kemi marrë në konsideratë vendimin e saj, i cili tashmë është në fuqi”, deklaroi Manja.
Sipas tij, SPAK ka vënë në lëvizje Kuvendin duke kërkuar zëvendësimin e masës aktuale të sigurisë me një masë më të rëndë, atë të arrestit, kërkesë që do të shqyrtohet nga deputetët në seancë plenare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






