

Ajola Xoxa mungon në seancën në GJKKO, avokati: Është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar të paraqitet
Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, nuk është paraqitur sot në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), raporton noa.al.
Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm avokati i saj mbrojtës, Maks Haxhia, i cili informoi trupën gjykuese se klientja e tij nuk mund të marrë pjesë në proces për arsye shëndetësore.
Sipas avokatit Haxhia, Ajola Xoxa është shtatzënë dhe mjeku i ka rekomanduar që të mos paraqitet në gjykatë për shkak të gjendjes së saj.
“Klientja ime ndodhet në pamundësi shëndetësore për të qenë e pranishme në seancë. Ajo është shtatzënë dhe mjeku i ka kufizuar lëvizjet duke e ndaluar të paraqitet në gjykatë. I kam kërkuar gjithashtu që të paraqesë edhe dokumentacionin mjekësor përkatës,” deklaroi avokati para trupës gjykuese.
Mësohet se gjykata pritet të shqyrtojë dokumentacionin mjekësor që do të paraqitet nga mbrojtja për të vlerësuar arsyet e mungesës së saj në seancë dhe për të vendosur mbi vijimin e procesit gjyqësor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






