Transmetuar më 09-03-2026, 10:27

Deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Ulsi Manja, prezantoi raportin lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij para Grupit Parlamentar të PS-së, Manja deklaroi se pretendimet e SPAK për rrezikun e prishjes së provave apo arratisjes së Ballukut janë hipotetike, duke theksuar se ajo tashmë është shkarkuar nga funksionet qeveritare dhe ushtron vetëm detyrën e deputetes.

“Dorëzojmë sot raportin për kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Kemi diskutuar relacionin dhe pretendimet e palëve në Këshill dhe kemi arritur në një dakordësi për këtë raport”, u shpreh Manja.

Ai theksoi se situata institucionale ka ndryshuar që nga momenti i paraqitjes së kërkesës së prokurorisë.

“Sot që po diskutojmë këtë raport, kemi një realitet të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë efekt juridik real”, tha ai.

Manja shtoi se argumentet e SPAK mbi të cilat mbështetet kërkesa për arrestim mbeten të paqarta dhe hipotetike.

“Edhe narrativa e SPAK, mbi të cilën është ndërtuar kërkesa, si rreziku i prishjes së provave apo arratisja, mbetet hipotetike. Kemi parë gjithashtu përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik. Ndaj është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë dhe të ndajmë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet”, deklaroi ai.

Sipas Manjës, kërkesa e SPAK në rastin e Ballukut ndryshon nga rastet e tjera të paraqitura më parë në Kuvend për autorizimin e masave të sigurimit.

“Kjo nuk është një kërkesë për vendosjen e një mase sigurimi për herë të parë. Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal që është aktualisht në fuqi, si ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë më të rëndë, atë të arrestit, për një çështje që SPAK po e heton që nga gushti i vitit 2024”, përfundoi ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit