

Eksperti i sigurisë Ermal Jauri ka analizuar mundësinë teorike që një raketë balistike e lëshuar nga Irani të mund të godasë territorin e Shqipërisë, duke theksuar se një skenar i tillë është praktikisht i pamundur për shkak të sistemeve të mbrojtjes së NATO-s.
I ftuar në Euronews Albania, Jauri shpjegoi se në aspektin teorik një raketë balistike iraniane mund ta përshkojë distancën deri në Shqipëri, pasi shumë prej tyre kanë rreze veprimi rreth 2000–2500 kilometra, ndërsa distanca mes Iranit dhe Tiranës është afërsisht rreth 2000 kilometra.
Megjithatë, ai theksoi se në praktikë një sulm i tillë do të ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar, pasi raketa do të duhej të kalonte mbi territorin e Turqisë dhe Greqisë, dy vende anëtare të NATO-s që disponojnë sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore, si Patriot dhe NASAMS.
Sipas ekspertit, këto sisteme janë të dizajnuara për të identifikuar dhe interceptuar raketat balistike që hyjnë në hapësirën ajrore të vendeve aleate. Trajektorja e një rakete të lëshuar nga Irani drejt Shqipërisë do të zgjaste rreth 20 minuta ose edhe më shumë, kohë gjatë së cilës ajo do të ishte e ekspozuar ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Jauri shtoi se, edhe në rastin hipotetik që një raketë të depërtonte përmes këtyre sistemeve, mbrojtja kolektive e NATO-s do të aktivizohej menjëherë. Shqipëria, si vend anëtar i Aleancës, përfiton nga sistemi i përbashkët i mbrojtjes ajrore të NATO-s.
Ai theksoi gjithashtu se, megjithëse Shqipëria nuk disponon forca ajrore për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore, kjo mbrojtje realizohet në kuadër të NATO-s. Koha e reagimit të avionëve të aleancës për mbrojtjen e hapësirës ajrore shqiptare është shumë e shpejtë, rreth 2 deri në 6 minuta.
Sipas Jaurit, përvoja nga sulmet e Iranit ndaj Izraelit tregon se një raketë e vetme ka shumë pak gjasa të depërtojë një sistem të fortë mbrojtjeje ajrore. ‘Për të rritur probabilitetin e depërtimit, do të duhej të lëshoheshin dhjetëra raketa njëkohësisht’, deklaroi ai për Euronews Albania.
Në përfundim, eksperti theksoi se edhe në një skenar të tillë hipotetik, sistemet e mbrojtjes raketore dhe forcat ajrore të NATO-s do të ndërhynin për ta neutralizuar kërcënimin shumë përpara se raketa të arrinte objektivin e saj, duke bërë që një sulm ndaj Shqipërisë të mos paraqesë rrezik real.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






