Transmetuar më 09-03-2026, 07:28

Mjekja obstetër-gjinekologe, Kozeta Mustafaraj, ka ngritur shqetësimin për përhapjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST), duke theksuar se grupmosha më e rrezikuar mbetet ajo e të rinjve seksualisht aktivë.

Mustafaraj shpjegoi se SST-të shkaktohen nga infeksione që transmetohen kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale. Megjithatë, disa prej tyre mund të përhapen edhe përmes gjakut, transfuzioneve, përdorimit të shiringave të ndotura ose nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë apo lindjes.

Sipas saj, infeksionet më të shpeshta që hasen në praktikën klinike në Tiranë janë trikomonasi, virusi human papilloma (HPV) dhe herpes simplex. Ndërsa më pak të përhapura, por gjithsesi të pranishme, janë klamidia, gonoreja dhe sifilizi.

Mjekja theksoi se shumica e këtyre infeksioneve mund të kalojnë për një kohë të gjatë pa shenja të dukshme, gjë që rrit rrezikun e komplikacioneve serioze. Klamidia e patrajtuar, për shembull, mund të shkaktojë bllokim të tubave tek femrat dhe të çojë në infertilitet. Ndërkohë, sifilizi mund të ketë pasoja të rënda për të sapolindurit. Infeksionet virale si HPV dhe herpes simplex mund të krijojnë probleme kronike dhe, në disa raste, të lidhen me forma kancerogjene të organeve gjenitale ose të faringut.

Për parandalimin e këtyre sëmundjeve, Mustafaraj rekomandon përdorimin e prezervativëve dhe kufizimin e numrit të partnerëve seksualë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e vaksinimit kundër HPV-së, i cili rekomandohet të kryhet në moshën 12–14 vjeç për të parandaluar infeksionet virale dhe pasojat e mundshme të tyre.

Në përfundim, mjekja nënvizoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, veçanërisht pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, për të diagnostikuar dhe trajtuar në kohë çdo infeksion të mundshëm.

“Një sëmundje seksualisht e transmetueshme mund të përhapet edhe nga një marrëdhënie e vetme e pambrojtur”, u shpreh Mustafaraj për Euronews Albania, duke bërë apel për më shumë përgjegjësi dhe transparencë ndaj partnerëve dhe mjekëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit