

Tiranë, 8 Mars 2026
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste pritet të mblidhet nesër në orën 10:00 për të diskutuar dhe vendosur për një nga çështjet më të nxehta brenda partisë vitet e fundit: kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendës kryeministres, Belinda Balluku.
Sipas burimeve nga Grupi Parlamentar i PS, në mbledhje do të bëhet leximi i raportit të hartuar nga pesë anëtarë socialistë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, raport që i është besuar Ulsi Manjës. Raporti përfshin analizën e kërkesës së SPAK dhe do të shërbejë si bazë për vendimin e partisë.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka kërkuar pjesëmarrje të detyrueshme të të gjithë deputetëve socialistë në këtë mbledhje, ku pritet gjithashtu që kryesocialisti Edi Rama të mbajë një fjalë me qëndrimin politik final të PS-së mbi këtë çështje.
Burime nga shumica socialiste bëjnë me dije se, pas diskutimeve në mbledhjen e nesërme, raportet e shumicës dhe opozitës do të lexohen, diskutohen dhe më pas do të votohen në seancën e parlamentit të enjten, më 12 Mars.
Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që deputetja Belinda Balluku të ketë fjalën e saj në seancë, përpara kolegëve, për të sqaruar qëndrimin e saj mbi kërkesën e lëshuar më 16 Dhjetor nga prokurorët e SPAK.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






