

Familjarët e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e Gjykata e Apelit, kanë kërkuar që ai të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Ata theksojnë se rendi dhe qetësia në vend nuk garantohen vetëm nga policia, por edhe nga sistemi i drejtësisë dhe gjykatësit që ushtrojnë detyrën në kushte të vështira dhe me rrezik të lartë.
Familja e gjyqtarit pritet t’i drejtohet Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit, duke hapur edhe mundësinë e ndjekjes së çështjes në Gjykata Administrative, nëse kërkesa nuk pranohet.
Gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkëmbi, i cili dyshohet se kreu krimin për shkak të një procesi gjyqësor disa-vjeçar që lidhej me një të afërm të tij në Shkodër.
Aktualisht, dy të dyshuar për ngjarjen ndodhen në burg, ndërsa hetimet nga Prokuroria e Tiranës vijojnë. Organi i akuzës është në pritje të ekspertizës së telefonit për të përcaktuar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në kryerjen e krimit.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja riktheu në vëmendje çështjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë. Sipas burimeve, edhe më herët janë raportuar raste kërcënimesh ndaj trupave gjyqësore gjatë shpalljes së vendimeve në të njëjtën gjykatë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






