Transmetuar më 08-03-2026, 19:06

Albert Cara, i cili u bë i njohur për publikun pas tragjedisë së tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, është ndarë nga jeta këtë të diel. Lajmi është bërë i ditur nga familjarë dhe të afërm të tij përmes rrjeteve sociale.

Në vitin 2019 emri i Albert Carës u përmend në të gjitha mediat, pasi ai ishte i vetmi anëtar i familjes që mbijetoi nga shembja e banesës së tyre në Thumanë gjatë lëkundjeve të forta të tërmetit. Në atë tragjedi të rëndë ai humbi shtatë anëtarë të familjes së tij, një dhimbje e madhe që e shoqëroi për vite me radhë.

Pas shtatë vitesh të mbushura me vuajtje dhe dhimbje të thellë për humbjen e familjes, Albert Cara është ndarë nga jeta si pasojë e një arresti kardiak.

Të afërmit e tij kanë ndarë lajmin e trishtë në rrjetet sociale, duke e kujtuar si një njeri që mbajti për vite me radhë një plagë të madhe në zemër.

“Sot u nda nga jeta Albert Cara, një zemër që mbajti brenda vetes dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një njeri. Në tërmetin tragjik të 26 nëntorit ai humbi gjithë familjen e tij. Ishte një plagë që nuk u shërua kurrë.

Sot, pas një ataku kardiak, Alberti u largua nga kjo botë për t’u bashkuar me engjëjt e tij në përjetësi. Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert, tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë”, shkruan një nga të afërmit e tij.

Historia e Albert Carës preku thellë opinionin publik pas tërmetit të vitit 2019, pasi ai mbeti i vetëm pas humbjes së të gjithë familjarëve të tij në një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi në vitet e fundit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit