Transmetuar më 08-03-2026, 19:34

Me ardhjen e pranverës dhe çeljen e luleve, natyra mbushet me ngjyra dhe aroma të këndshme. Megjithatë, për shumë njerëz kjo stinë shoqërohet edhe me shqetësime shëndetësore. Rritja e nivelit të polenit në ajër, që vjen kryesisht nga pemët, barishtet dhe lulet, shkakton tek shumë persona simptoma të bezdisshme si teshtima të shpeshta, hundë të bllokuar, sy të skuqur dhe kruarje fyti.

Poleni përhapet lehtësisht nga era dhe mund të qëndrojë në ajër për orë të tëra. Tek personat e ndjeshëm ai irriton rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton reagime alergjike. Më të prekur zakonisht janë fëmijët mbi moshën 5-6 vjeç, adoleshentët dhe të rriturit. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit kanë ndikuar që sezoni i polenit të zgjasë më shumë në vitet e fundit, duke bërë që simptomat të jenë më të forta dhe të zgjasin për një periudhë më të gjatë.

Alergologia Klea Xhelilaj thotë se alergjia është një reagim i ekzagjeruar i sistemit imunitar ndaj faktorëve të jashtëm që për shumicën e njerëzve janë të padëmshëm. Përveç polenit, alergjitë mund të shkaktohen edhe nga pluhurat e shtëpisë, si dhe nga qimet apo epiteli i kafshëve shtëpiake.

Roli i gjenetikës dhe faktorëve të mjedisit

Sipas mjekes, një faktor shumë i rëndësishëm në shfaqjen e alergjive është predispozita gjenetike. Për këtë arsye, gjatë konsultave mjekësore pyetet gjithmonë nëse në familje ka persona që vuajnë nga alergjitë. Megjithatë, edhe faktorët e mjedisit luajnë një rol të madh.

Urbanizimi i shpejtë, ndotja e ajrit dhe zgjatja e sezonit të polenit kanë bërë që vitet e fundit të shtohen rastet e reja të alergjive, madje edhe tek të rritur që më parë nuk kanë pasur probleme të tilla.

Në qytete, veçanërisht në Tiranë, mbjellja e pemëve pa një plan të qartë dhe futja e specieve jo tipike për vendin tonë mund të sjellë polene të reja në mjedis. Kjo rrit rrezikun e sensibilizimit të popullatës dhe mund të shtojë problemet alergjike.

Si shfaqet alergjia nga poleni

Kur poleni bie në kontakt me sytë, lëkurën apo rrugët e frymëmarrjes, ai mund të shkaktojë një sërë simptomash karakteristike. Ndër më të shpeshtat janë:

rrufë dhe teshtima të shpeshta

sekrecione të holla nga hunda

kruarje në fyt, veshë dhe sy

lotim i shtuar i syve

konjuktivit alergjik, që shfaqet me skuqje dhe ënjtje të syve

në disa raste, tek personat e predispozuar mund të përkeqësojë edhe astmën bronkiale.

Alergji apo virozë? Dallimi kryesor është temperatura

Një nga mënyrat më të thjeshta për të dalluar alergjinë nga një virozë është prania e temperaturës. Alergjitë zakonisht nuk shoqërohen me temperaturë, ndërsa infeksionet virale shpesh po.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është përsëritja sezonale e simptomave. Shumë pacientë raportojnë se çdo pranverë përjetojnë të njëjtat shqetësime dhe simptomat zgjasin për aq kohë sa zgjat edhe sezoni i polenit.

Në pranverë dhe në vjeshtë mund të përkeqësohen edhe alergjitë e shkaktuara nga pluhurat e shtëpisë ose akarieni siç quhet nga mjekët. Këta mikroorganizma qëndrojnë në ambientet e brendshme dhe riprodhohen më shpejt kur temperaturat rriten dhe niveli i lagështirës është më i lartë.

Si mund të mbrohemi nga poleni

Mënyra më e mirë për të shmangur përkeqësimin e simptomave është reduktimi i kontaktit me alergenët. Disa masa praktike që mund të ndihmojnë janë:

shmangia e daljeve në mëngjes herët, kur përqendrimi i polenit në ajër është më i lartë

përdorimi i maskës dhe syzeve mbrojtëse, sidomos për personat që vuajnë nga konjuktiviti alergjik

larja e trupit dhe flokëve sapo ktheheni në shtëpi, për të larguar polenin e grumbulluar gjatë ditës

ajrosja e shtëpisë në orare kur përqendrimi i polenit është më i ulët

ndjekja e kalendarit të polenit në aplikacionet e motit, për të ditur ditët me nivel më të lartë të polenit.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Diagnoza e alergjive bazohet fillimisht në simptomat që paraqet pacienti dhe më pas në teste specifike. Një nga testet më të përdorura është “skin prick test”, një test i thjeshtë që kryhet në lëkurë dhe jep rezultat për rreth 20 minuta, duke identifikuar alergjenët që shkaktojnë reagimin.

Trajtimi përcaktohet sipas simptomave dhe nevojave të pacientit. Në rastet e rinitit alergjik përdoren shpesh spraj nazal me kortikosteroid dhe tableta antihistaminike.

Tek pacientët me astmë përdoren terapi inhalatore, të njohura si pompa, të cilat veprojnë drejtpërdrejt në rrugët e frymëmarrjes dhe kanë më pak efekte anësore. Ndërsa për konjuktivitin alergjik përdoren pika okulare me antihistaminik.

Këshilla për prindërit

Prindërit duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë shenjave të alergjisë tek fëmijët. Nëse simptomat shfaqen herët dhe përsëriten çdo vit, është shumë e rëndësishme të bëhet një konsultë mjekësore dhe të kryhen testimet e nevojshme.

Diagnostikimi dhe trajtimi në kohë i alergjive mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të simptomave dhe të parandalojë komplikacione më serioze në të ardhmen.

Një e pesta e fëmijëve po preken nga alergjitë sezonale, mjekët apel prindërve për trajtim në kohë

Me ardhjen e pranverës 20% e fëmijëve përballen me dukuri alergjike sezonale, të cilat sipas mjekëve dekadat e fundit janë rritur ndjeshëm.

“Një në 5 fëmijë mund të manifestojë fenomene alergjike kryesisht të karakterit sezonal. Me hyrjen e sezonit pranveror pritshmëritë janë që të ballafaqohemi me raste te reja dhe të përsëritura të fenomeneve alergjike”, thotë Irena Kasmi, Pneomopediatre në QSUT.

Ngrohja globale fajësohet si faktor kryesor i zgjatjes së sezonit të alergjive. “Kemi një zgjatje të sezonit të alergjive në kontekstin e ngrohjes globale që shkon nga muaji marsi deri ne muajin tetor”, thotë mjekja.

Format e buta dhe të mesme të alergjisë zënë peshën kryesore e që trajtohen nga mjekët e qendrave shëndetësore.

Shenjat e këtyre formave janë teshtima, bllokik hundës, vështirësi në frymëmarrje që lidhen me hundën dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kruarje të syve.

Në disa raste një pjesë e tyre oërfundojnë në spital me kriza të forta alergjike që kërkojnë trajtim.

Sakaq, shqetësim përbëjnë dhe fëmijët 7 deri 12 vjeç me shenja të krizës. “Fëmijët që vijnë në urgjencë dhe kanë nevojë për trajtim spitalor paraqesin simptoma më të rënda si p.sh. vështirësi në frymëmarrje, në të folur, desaturim të oksigjenit. Ata kanë kriza të rëndësishme të astmës dhe moshat më të prekura janë nga 7 deri 12 vjeç”, u shpreh Kasmi.

Për shkak të alergjisë këta fëmijë afektohen edhe emocionalisht.

“Pasojat nuk janë thjesht fizike. Përjetojnë shqetësime të mosfrekuentimit korrekt të shkollës”, tha mjekja. Ndërsa disa thonë se kjo situatë i fut dhe në ndjenjën e inferioritetit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit