

“Ose e imja, ose e vdekur”, bilanci tragjik në Maqedoninë e Veriut: 26 gra të vrara në pesë vjet
“Ose e imja, ose e vdekur”, ishte vetëm një nga dhjetëra mesazhet kërcënuese që 31-vjeçarja Rosica Koçeva kishte marrë pak ditë para se ish-partneri i saj, Ilija Stefanovski, ta vriste atë bashkë me babain e saj pranë shtëpisë së tyre në Veles. Ky është rasti më i fundit i femicidit në Maqedoninë e Veriut, i dokumentuar edhe nga policia.
Rosica i kishte denoncuar disa herë dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme të ish-partnerit, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj prindërve dhe shoqeve të saj, por rasti i saj asnjëherë nuk ishte marrë seriozisht nga institucionet.
Para kryerjes së krimit, Ilija Stefanovski ishte ndëshkuar vetëm me dënim me kusht dhe me masë ndalese për t’iu afruar, të cilën nuk e kishte respektuar. Pas vrasjes së dyfishtë, ai vrau edhe veten.
Ky mbetet një nga shumë rastet që ngrenë pikëpyetje mbi reagimin institucional ndaj thirrjeve të grave për ndihmë.
Për pesë vjet, 26 gra të vrara
Rosica është vetëm një nga gjithsej 6 gratë e vrara në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025. Pesë gra u vranë në vitin 2024.
Dy prej tyre kishin bërë më parë denoncim për dhunë në familje.
Viti 2023 ka qenë më i rëndi sa i përket vrasjeve të grave, me gjithsej 9 viktima. Tri prej rasteve lidhen me dhunën në familje. Në renditjen e Eurostat për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet me shkallën më të lartë të femicideve në Evropë, me 6 raste për një milion banorë, duke u renditur e treta pas Lituanisë dhe Letonisë.
Në vitin 2022 u vranë dy gra, ndërsa në vitin 2021 u regjistruan katër raste të vrasjes së grave.
Maqedonia ndër shtetet e para në rajon që e njeh femicidin ligjërisht
Vrasja e një gruaje nuk nënkupton domosdoshmërisht femicid. Që një rast të kualifikohet si i tillë, duhet të vërtetohet se vrasja lidhet me gjininë, pra se gruaja është vrarë për shkak të të qenit grua.
Megjithëse termi “femicid” nuk përdoret drejtpërdrejt në Kodin Penal, në vitin 2023 neni 123 u plotësua me paragrafin 2-a, me të cilin sanksionohet vrasja e një gruaje ose vajze deri në moshën 18 vjeç “si pasojë e dhunës me bazë gjinore”.
Për shkak se kjo çështje nuk ishte e rregulluar më parë në mënyrë të qartë, nuk dihet saktësisht se sa nga vrasjet e grave kualifikohen si femicid.
Aktualisht, Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës në Familje po analizon të gjitha gjykimet dhe vendimet që lidhen me vrasjen e grave nga viti 2014 deri në vitin 2023 dhe pritet të publikojë një raport që do të ofrojë një pasqyrë më të qartë mbi natyrën e këtyre rasteve.
Për DW, përfaqësues të kësaj organizate thanë se gjatë viteve të përmendura në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 40 tentativa për vrasjen e grave, ndërsa 75 gra janë vrarë.
Maqedonia dështon në parandalimin e rasteve të femicidit
Marta Gusar, avokate e cila ka përfaqësuar shpesh gra viktima të dhunës në familje, thekson se problemi kryesor mbetet parandalimi.
“Problemi kyç në shtetin tonë është se femicidi nuk parandalohet. Kur ndodh femicidi, tashmë është tepër vonë. Konventa e Stambollit është dokumenti nga i cili buron parandalimi. Institucionet duhet ta njohin dhunën me bazë gjinore, ta kuptojnë femicidin dhe ta adresojnë problemin në mënyrë sistematike”, thotë Gusar.
Vrasja e grave mbetet shqetësuese
“Statistikat tregojnë se numri i femicideve është i lartë, veçanërisht për një shtet me përmasa si Maqedonia e Veriut. Dhe pyetja nëse ky fenomen po trajtohet mjaftueshëm seriozisht në praktikë, për fat të keq, merr përgjigje negative pikërisht për shkak të këtyre shifrave”, thotë Gusar.
“Mjafton të marrim rastin e vrasjes së Rosicës. Kjo ngjarje tragjike tregoi edhe njëherë se problemi thelbësor qëndron në parandalimin e pamjaftueshëm dhe në moskuptimin e dhunës me bazë gjinore”, shton avokatja.
Dhuna ka forma të ndryshme
Sipas aktivisteve për të drejtat e grave, është e domosdoshme që të gjithë profesionistët që trajtojnë rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje të trajnohen për të identifikuar të gjitha format e dhunës, përfshirë atë psikologjike, sociale dhe ekonomike, dhe jo vetëm dhunën fizike.
Shpesh, në momentin kur gratë raportojnë dhunën, ato përballen me dekurajim në stacionet e policisë. Ka raste kur u është thënë se nuk posedojnë mjaftueshëm prova, edhe kur kallëzimet përmbanin elementë të veprës penale “rrezikim i sigurisë”.
Kapacitete të pamjaftueshme në strehimore
Një tjetër sfidë mbeten kapacitetet e strehimoreve për viktimat e dhunës, të cilat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i shtretërve arrin vetëm 37 për qind të kapacitetit që shteti duhet të sigurojë në raport me numrin e banorëve. Nga gjithsej 67 shtretër në nivel vendi, 19 menaxhohen nga organizata joqeveritare. /DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






