

Një gabim në aplikacionin WhatsApp ka bërë që një shtetas shqiptar në Angli të rikthehet në burg vetëm dy javë pasi ishte liruar nga paraburgimi.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Urim Pomari, pasi doli nga burgu më 21 tetor, dyshohet se i është rikthyer aktivitetit të shitjes së kokainës. Ai krijoi një grup në platformën WhatsApp, ku dërgonte oferta për shitjen e drogës, duke përdorur edhe emoji-n e dëborës si kod për kokainën.
Gabimisht, në këtë grup ai kishte shtuar edhe numrin e oficerit të shërbimit të provës, tek i cili ishte i detyruar të paraqitej çdo javë.
Pas zbulimit të mesazheve, policia kreu një kontroll në banesën e tij në Ipswich. Gjatë bastisjes u gjetën sasi kokaine, peshore për matjen e saj, si dhe 1,255 paund në para të gatshme.
Gabimi i të pandehurit u përmend edhe gjatë seancës gjyqësore. Gjyqtarja Nicola Talbot-Hadley deklaroi se Pomari “nuk është një kriminel i sofistikuar”, duke e cilësuar si “budallallëk” faktin që ai kishte dërguar mesazhe edhe te oficeri i provës.
Gjykata urdhëroi që paratë e sekuestruara t’i kalojnë për qëllime bamirësie. Në përfundim të procesit, Pomari u dënua me dy vjet e katër muaj burg.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






