Transmetuar më 08-03-2026, 14:28

"Ndërtimi i barrierave do të çonte vetëm në izolim, bashkëpunimi Kinë-BE është rruga e duhur", thotë MPJ

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, foli për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian gjatë një konference për shtyp të mbajtur të dielën në kuadër të “dy sesioneve”.

MPJ deklaroi se, që nga viti i kaluar, marrëdhëniet me vendet evropiane janë përmirësuar ndjeshëm. Vlera e përgjithshme e tregtisë dypalëshe ka tejkaluar 1 trilion dollarë, mbi 2 milionë turistë evropianë kanë vizituar vendin pa viza, ndërsa udhëheqës evropianë kanë zhvilluar vizita të njëpasnjëshme. Sipas tij, shkëmbimet janë bërë gjithnjë e më të ngushta dhe janë arritur një sërë marrëveshjesh të reja bashkëpunimi.

Ai theksoi se këto zhvillime tregojnë se qëndrueshmëria e marrëdhënieve me BE buron nga interesat e përbashkëta, ndërsa siguria e tyre mbështetet te përfitimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi i favorshëm për të dyja palët.

Ministri nënvizoi gjithashtu se qëndrimi i vendit për zhvillimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian është i qartë.

“Ne gjithmonë kemi besuar se Evropa është një pol i natyrshëm në një botë shumëpolare, një forcë e rëndësishme për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit ndërkombëtar, si dhe një partnere kyçe në procesin e modernizimit të vendit tonë. Që marrëdhëniet mes nesh dhe BE të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme, çelësi është që Evropa të krijojë një kuptim të saktë për Kinën. Kemi vënë re se gjithnjë e më shumë njerëz me mendje të hapur në Evropë bien dakord se Kina nuk është një konkurrente, por një partnere globale. Veçanërisht brezi i ri e sheh vendin tonë në mënyrë më objektive dhe më pozitive”, tha kryediplomati.

Në vijim, MPJ tha se thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian qëndron tek avantazhet plotësuese dhe se një ekuilibër dinamik mund të arrihet gjatë procesit të zhvillimit.

Sipas tij, faktet e bashkëpunimit me BE tregojnë se ndërvarësia nuk është rrezik, interesat e ndërthurura nuk përbëjnë kërcënim, ndërsa bashkëpunimi i hapur nuk dëmton sigurinë ekonomike. Ai shtoi se ndërtimi i mureve dhe barrierave vetëm sa çon drejt izolimit të vetvetes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit