Transmetuar më 08-03-2026, 10:50

Tiranë, 8 mars 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se qeveria do të mbështesë bizneset pas rritjes së pagës minimale në vend, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe mbrojtjen e vendeve të punës.

Gjatë podcastit të tij javor “Flasim”, Rama bëri të ditur se pas vendimit për rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, qeveria ka miratuar një paketë lehtësuese për sipërmarrjet.

Sipas tij, shteti do të mbulojë për një periudhë 9-mujore koston shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit që përfitohen nga kjo rritje.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe parashikon kompensimin financiar të kontributeve për punëdhënësit për periudhën janar–shtator 2026.

“Pas vendimit që morëm për rritjen e pagës minimale, ndërmorëm edhe hapin tjetër të premtuar për të lehtësuar ndikimin mbi sipërmarrjet, duke marrë përsipër pagesën e kostos shtesë të sigurimeve për një periudhë 9-mujore”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, shteti do të mbulojë 16.7% të kontributeve mbi diferencën e pagës për çdo punonjës që më parë paguhej në intervalin 40 mijë deri në 49,999 lekë.

Kjo, sipas tij, do të thotë se bizneset nuk do të përballen me kosto shtesë për kontributet, ndërsa punonjësit do të përfitojnë paga më të larta.

Rama theksoi se objektivi i kësaj mase është ruajtja e stabilitetit ekonomik, mbrojtja e vendeve të punës dhe parandalimi i informalitetit në tregun e punës, ndërsa shtoi se paga minimale pritet të rritet më tej deri në fund të mandatit qeverisës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit