

Tiranë, 8 mars 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Shqipërinë nga sulmet iraniane, duke theksuar se vendi është i mbrojtur nga aleanca e NATO. Ai kritikoi ashpër mediat dhe burimet që, sipas tij, kanë përhapur lajme të rreme për mundësinë e një sulmi ndaj vendit.
Gjatë një deklarate publike, Rama u shpreh se Shqipëria është e prekur nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme në aspektin politik dhe njerëzor, por jo në mënyrë fizike apo të drejtpërdrejtë. Ai theksoi se situata në rajon mbetet e ndërlikuar dhe e vështirë për t’u parashikuar.
Sipas tij, përshkallëzimi i tensioneve lidhet me përpjekjet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Izraeli për të ndaluar zhvillimin e armës bërthamore nga regjimi iranian.
Rama theksoi gjithashtu se prioriteti kryesor për autoritetet shqiptare është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme. Sipas tij, përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare në rajon janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase për të monitoruar situatën dhe për të ofruar asistencë për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri shtoi se Shqipëria ruan marrëdhënie të mira me disa vende të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin, si dhe me Izraelin.
Ai shprehu solidaritet edhe me vende të tjera të prekura nga tensionet, përfshirë Qipron, Greqinë dhe Turqinë.
Duke komentuar spekulimet për një sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë, Rama akuzoi disa media dhe aktorë brenda vendit për përhapje të dezinformatave.
“Ndryshe nga vendet e tjera, ne burimin më të madh të dezinformimit e kemi brenda vendit. Është prodhuar në mënyrë kriminale një seri lajmesh për gjoja mundësinë e një sulmi mbi Shqipërinë”, tha ai.
Rama theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO garanton reagim të menjëhershëm ndaj çdo kërcënimi, duke iu referuar edhe neutralizimit të një rakete që, sipas tij, ishte lëshuar drejt Turqisë dhe u ndalua nga forcat e aleancës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






